Partia Fryma e Re, e porsaformuar, përmes një deklarate për media, ka shpalosur themelet e saj, duke bërë të ditur se rruga që ajo ofron, është rruga e zhvillimit, rruga drejt rikthimit të dinjitetit të kosovarit, rruga që e çon Kosovën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Pas një historie të gjatë përpjekjesh dhe sfidash ekzistenciale për liri, Republika e Kosovës ndodhet para një udhëkryqi të ri historik. Pyetja që sot shfaqet para nesh në këtë udhëkryq është e thjeshtë: a kemi luftuar dhe sakrifikuar për një shtet si ky që e kemi sot?”.
“Të gjithë e kemi ditur se do të duhej kohë për lulëzimin e fryteve të lirisë. Por nuk kemi pritur se shteti i Kosovës do të kthehej kaq shpejt në një vend ku mirëqenia elementare është luks; ku ndershmëria nuk shpaguhet; ku ligji shkelet pamëshirshëm nga ata që kanë fuqi; ku qytetarët jetojnë në ankth për të ardhmen e fëmijëve të tyre”.
“Shteti i ëndrrave tona sot u ofron shtetasve të vet një jetë pa dinjitet. Për më tepër, elitat politike po ua humbasin kosovarëve edhe gjënë më të çmuar të shpirtit njerëzor: shpresën për një ditë më të mirë... Shtetasve të Kosovës së shpejti do t'u kërkohet të vendosin për drejtimin që do ta marrë vendi gjatë katër viteve të ardhshme. Në këtë udhëkryq të rëndësishëm ata do të kërkojnë ta zgjedhin një rrugë, e cila do t'ua kthejë dinjitetin dhe do ta mundësojë jetësimin e fryteve të lirisë”, thuhet në deklaratën e Frymës së Re, sipas së cilës “drejt kësaj rruge Kosovën mund ta shtyjë vetëm një ‘Frymë e Re’”.
“Derisa e gjithë shoqëria jonë përkulet me respekt para sakrificës së atyre që kontribuuan për lirinë e vendit, konstatojmë se meritat e së kaluarës nuk i japin askujt të drejtën për të na e mbajtur peng të ardhmen. Sfidat që i kemi përpara kërkojnë aftësi dhe angazhime politike të tjera nga ato që na janë dashur gjatë periudhës çlirimtare”.
Momenti i sotëm, sipas Frymës së Re, të themeluar nga Ilir Deda dhe Shpend Ahmeti, thërret për një bashkim të ri forcash dhe energjish përparimtare. Momenti i sotëm, sipas kësaj partie, thërret për një frymë e cila politikën e sheh si shërbim, e jo si interes; një frymë e cila sheh përtej përçarjeve të së kaluarës dhe drejt arritjeve të së ardhmes; një frymë e cila mishëron atdhedashurinë e sinqertë me mendësinë përparimtare të shekullit XXI.
“Rrugën drejt zhvillimit ekonomik të Kosovës mund ta ndërtojë vetëm një forcë e cila e ka vizionin e duhur për të ardhmen dhe vullnetin e sinqertë për ta kthyer atë në realitet. Një forcë e tillë nuk udhëhiqet nga interesat e ngushta klanore, por nga parimet universale të lirisë, drejtësisë dhe barazisë së mundësive. Një forcë e tillë nuk e sheh ekonominë me syzat e ngurta të ideologjisë, por e sheh tregun e lirë si një forcë e cila bashkëdyzohet me dorën e shtetit për ta rritur mirëqenien e përgjithshme. Mbi të gjitha, një forcë e tillë, prapa statistikave ekonomike, e sheh njeriun – fëmijën që kërkon shkollim, të sëmurin që kërkon shërim, punëtorin që kërkon punë, viktimën që kërkon drejtësi”.