Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto me rastin e votimit të rezolutës për liberalizimin tha se kjo është një ngjarje e shënuar për të gjithë popullin shqiptar, një ngjarje e shumëpritur, për të cilën është punuar me angazhimin dhe dedikimin maksimal nga të gjithë institucionet e përfshira në këtë proces.
“Tashmë shqiptarët, që vuajtën izolimin më të madh e më të gjatë në rajon e Evropë, janë duke realizuar ëndrrën e tyre për të lëvizur pa viza drejt hapësirës Shengen”, tha ministri Haxhinasto duke shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë eurodeputetët që votuan në mbështetjen e rezolutës për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Haxhinasto tha po ashtu se tani është koha që institucionet evropiane edhe ato të Republikës së Kosovës të angazhohen edhe më shumë në procesin për liberalizimin dhe heqjen e tërësishme të vizave për qytetarët kosovarë.
“Vlerësoj e përshëndes gjithashtu qëndrimin e përsëritur të Parlamentit Evropian për përfshirjen e Kosovës në këtë projekt madhor të integrimit, me një udhërrëfyes të qartë e të matshëm, i cili do të kontribuojë në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm në jetën e qytetarëve kosovarë e thellimin e reformave atje, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë”.